Monat: Februar 2019

Dy vëllime poetike me lirika dashurie nga Besim Xhelili

Shkrimtari shqiptar Besim Xhelili, i cili jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë, këto ditë solli para lexuesve dy tituj të rinj poetikë me lirika të dashurisë. Vëllimi i tij i tetë me radhë titullohet “Fragmente të një zemre të dalldisur…” dhe ai i nënti “Vragë malli”.

Besim Xhelili vjen nga Tetova dhe tash e 20 vjet jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë. Ka të botuar 7 libra me poezi dhe romanin e tij të parë “1803”, botuar në shqip në vitin 2016, kurse në janar të vitit 2018 edhe në gjuhën gjermane dhe atë suedeze. Me këto dy tituj të rinj ai sjell tek lexuesit poezi të vrullshme, lirika pasionale dhe ndjenja të një zemre të lënduar. Heraherës poezinë e tij e përshkojnë edhe çaste gëzimi, mirëpo në përgjithësi tek krijimet e tij vërehet mbizotërimi i dhembjes, mallit, lotit, mërzisë, mungesës, harresës e shembjeve të forta shpirtërore. Vetë titujt e librave tregojnë lëngimet e një zemre të dalldisur, e mbetur në vetmi dhe me vragë të pakalueshme malli.

Recensent i të dy titujve është kritiku i mirënjohur Prend Buzhala, kurse redaktimet i kanë bërë Hasan Qyqalla dhe Ejup Ajdini. Me një vështrim në të dy librat na paraqitet kritikja e mirëfilltë Migena Arllati.

“Pavdekësia e dashurisë, e personifikuar te sytë, shfaqet si sonatë e përkryer. Përkryerja dhe pavdekësia janë etimoni shpirtëror i jetës përgjithësisht, dhe i artit lirik, në veçanti. Poeti gjithnjë gjendet në kërkim të dashurisë. Në një kërkim të përgjithmonshëm. Situatat emocionale të këndimit të kësaj ndjesie, janë të shumta: qetësi dhe trazim, lektisje dhe mall, fshehtësi dhe magji, mister dhe mërzi, gëzim dhe hidhërim, por edhe meditime e reflektime që nuk prajnë”, shprehet recensenti Buzhala.

“Poezitё e para nё vёllim jo rastёsisht i kushtohen syve, pasi me sa duket poeti njёjtёson mendimin e tij me thёnien: “Sytё janё problem i vёrtet, ato flasin edhe kur nuk duhet”. Nёn efektin e njё vёshtrimi depёrtues, njё buzёqeshjeje tё heshtur dhe tё njё ndjenje tashmё tё ndaluar, ai mundohet tё marrё e tё japё ҫ’tё mundё nga vetvetja, vetёm e vetёm qё tё ketё nё zotёrim njё zemёr qё e don por qё pёr fat tё keq e refuzon. Tashmё kjo ndjenjё e ka pushtuar dhe ai prej kohёsh pёrpёlitet nё pёrsiatje pafund, me shpresё se megjithatё diҫka do tё arrijё tё bёjё, nёse jo kthimin e dashurisё, tё paktёn pёrjetёsimin e ndjenjёs sё shpirtit tё tij tё brishtё”, shprehet Migena Arllati.

“Të saldohen dy shpirtra që dashurohen është më tepër se hyjnore! Kjo, se raste të tilla globalisht janë pak. Por cila do ishte këtu sakrifica prej të dashurit, që e merr si parësore, pa asfarë hamendje poeti: “Për atë fytyrën tënde, një ditë do të futem në ferr”! Kjo, nuk është mit as legjendë. Janë vargjet mishëruese të poetit për fytyrën e saj! Është më shumë se sakrifikim! Zëri që ngreh, në botën aktuale (rreale), ku dashuria nuk e ka as kuptimin, as vlerën, as sakrificën si dikur…!”, thotë redaktori Hasan Qyqalla.

“Përmasat jetësore të jetës dhe të dashurisë nuk kanë fund, pasi ato janë edhe lajthitja dhe pengu më i madh brenda qenies njerëzore. Prandaj poeti nuk dorëzohet në udhëtimin e tij nëpër udhët e jetës dhe rrugëtimin e dashurisë. Pse ndodh kështu me poetin? Sepse kjo mësymja qëndron në egon e veçantë që ka Besimi për dashurinë. Ai nuk ndërmerr hapa kaq të vështira për vardisje false, as nuk e mundon epshi i rastit, por është diç më tepër… Është një ndërtim egocentrik dhe me një brumosje të thellë, për fenomenin e quajtur dashuri. Kjo duket përmes ndjeshmërisë dhe gjerësisë lirike, të cilat i kultivon me ëndje në vargun e tij lirik për dashurinë, që është edhe strumbullari i zhvillimit të shoqërisë njerëzore”, rëfehet në vështrimin e tij redaktori Ejup Ajdini.

Këto dy tituj munden të porositen direkt tek autori, përmes faqes së tij personale www.besimxhelili.at ose përmes postës elektronike besim@live.at. Autori ka në planifikim orarin e promovimeve të këtyre librave, por në vendlindje kjo do të ndodh me gjasë kësaj vere. Në Austri dhe në Europën Perëndimore ka mundësi edhe më herët të bëhet ndonjë promovim, për të cilin autori me kohë do të publikojë njoftimet përkatëse.

Shkrimi në disa gazeta dhe portale
Shpërndaje në:

PREZANTIM I SUKSESSHËM PARA AUSTRIAKËVE I ROMANIT „1803“ TË AUTORIT BESIM XHELILI

Autori shqiptar nga Tetova, i cili që nga viti 1998 jeton dhe punon në Vjenë të Austrisë, prezantoi të shtunën më 15 shtator 2018, në Muzeun e Bashkisë Mödling, romanin e tij me titull “1803”. Ky roman, si pjesë e parë e një trilogjie me po të njëjtin emër, u botua në shqip në vitin 2016, kurse në janar të këtij viti edhe në gjuhët gjermane dhe suedeze.

Me ftesë të Shoqërisë Letrare Mödling, dhe nën udhëheqjen e kryetares znj. Nicole Fendesack, në Muzeun e Bashkisë Mödling “Thonetschlössl”, u mbajt një orë letrare me shkrimtarin dhe poetin shqiptar nga Tetova Besim Xhelili, i cili prezantoi para një publiku të konsiderueshëm, artdashës dhe adhurues të librit, romanin e tij me titull “1803”.

Këtë aktivitet me vlera letrare e hapi vetë kryetarja znj. Fendesack, e cila pasi dha disa informacione mbi historikun e Shoqërisë Letrare Mödling, tregoi për aktivitetet dhe programin e planifikuar për këtë tremujor të fundit të këtij viti. Më pas ajo tha se ndjehet e gëzuar që sot si mysafir kanë një autor siç është z. Xhelili, i cili premton shumë me krijimtarinë e tij të bujshme dhe shumë laramane, duke pasur parasysh që ai ka shtatë vëllime me poezi dhe një roman në gjuhën shqipe, porse ai tash ka bërë hapin e madh, duke na ofruar këtë roman në gjuhën gjermane dhe atë suedeze. Ajo dha disa njohuri biografike mbi shkrimtarin Xhelili dhe recitoi për të pranishmit një poezi nga ai, duke e shpallur kështu të hapur këtë pasdite kulturore.

Shkrimtari Besim Xhelili falënderoi Shoqërinë Letrare Mödling, kryesinë dhe vet kryetaren për ftesën dhe mundësinë që ai të prezantojë romanin e tij para lexuesve dhe dashamirësve të librit të Bashkisë Mödling. “Ndjehem shumë i gëzuar dhe i nderuar të jem sot këtu në mesin tuaj, si mysafir i Shoqërisë tuaj, e cila ka tashmë një historik dhe një veprimtari prej më shumë se 80 vjet. Falënderoj të gjithë të pranishmit, miqtë e shumtë për përkrahjen dhe natyrisht lexuesit që përcjellin krijimtarinë time”, tha në fjalën e tij autori Xhelili. Më pastaj ai rrëfeu pak për përmbajtjen e romanit në fjalë, pa u futur në detaje, si dhe lexoi disa fragmente nga po ky libër. Në fund pati një bisedë të ngrohtë me të pranishmit, të cilët morën nga një libër dhe i bënë pyetje autorit. Ishte kërkesë e madhe të njihen me atë se çka do të thotë titulli “1803”, por autori tha se kjo do të zbulohet në pjesën e tretë të romanit.

Përndryshe Besim Xhelili ka prezantuar tashmë romanin e tij në disa vende të tjera në Europë si Gjermani, Zvicër, Greqi, Suedi dhe në vendet autoktone shqiptare. Recensionin e ka bërë kritiku i mirënjohur Prend Buzhala, kurse përkthimin në gjermanisht Kurt Gostentschnigg dhe atë në suedisht Ullmar Qvick. Autori ka shpresë që deri verën e ardhshme të arrijë të mbarojë dy pjesët e tjera të romanit, kurse ka në proces edhe disa vëllime me poezi. Ai është anëtar i PEN Qendrës Austriake, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë dhe ka marrë pjesë me disa krijime në disa antologji në shqip dhe në gjermanisht.

Shkrimi në disa gazeta dhe portale
Shpërndaje në: