POEZI

HIJE E SHUAR
 
Nëse e kam merituar o shpirt i largët dhe i heshtur
Prapa qafe t’më varen të gjitha dhimbjet e qiejve
Ti ruaje një copë vend në zemrën tënde për mua…
Nga loti kur t’përmbytem i vetmuar e i dëshpëruar
Me një pikë gjaku përzier mbi faqe zjarri kur t’mprek
Mëdyshja kur t’më shpartallojë dhe ëndrrat e fundit
Më afro dorën dhe të futem aty si hije e shuar…
SHUMË VITE

Gati gjashtë muaj po bëhen qysh se s’jemi parë
Shih se sa të qetë dhe pa lot sytë e tu duken,
Po unë bërtas marrëzira nëpër ëndrra i trembur!
Numërova kohën me orën e zemrës dhe të qiellit
Vargjet në fyt më lidhen si buzëqeshja jote dikur.
Moj mike do të kalojnë edhe sa vjet plot përmallim
Kur fryma t’më lëshojë, t’paktën atë ditë më eja pranë…
ISHULLI I VETMISË
 
Në ishullin e vetmisë, aty ku shkronjat digjen
Disa vuajtje do të ma rrjepin zemrën për së gjalli
Dhuratë nga sytë e tu do ta kem fatin e qiejve…
Për atë fytyrën tënde një ditë do të futem në ferr
Nën ndriçimin e ballit tënd do ta gjej rrugën drejt lirisë,
Dhe dikur po që se takohemi qoftë vetëm një herë
Ti dashurinë time do ta pish që të marrësh jetë…
NJË LOT E NJË LULE
 
Ky ballë, kjo kokë e ky kurriz i gërmuar
Një ditë për dërrasat e varrit do ngjiten
Skëterrës gurmuq e me vaj duke kaluar
Do vuaj veç pse buzët më s’do na puthiten…
 
I kapur si zogu n’kafaz, shpirtin të zhagmitur
Një lot e një lule n’vit truallin do ma zbukurojnë
Dhe nëse tej kohës do të ngeli duke t’pritur
Po s’munde ti, thuaju tjerëve t’m’i çojnë…
 
Rrallë buzëqeshja ime e këputur po t’u kujtua
Ji e lumtur që nga dashuria mbi varr do del bari
Po unë, oh e shtrenjtë me zemrën q’u copëtua
Mbi qafën tënde do shkrihem si gjerdan ari…
ZËRI YT
 
Po sa i ëmbël dhe me ritëm kumbues
Oh ai zëri yt dikur më përvetësonte
Por o shpirt se do bëhet aq lëndues
Oh asnjëherë mendja s’do ma besonte…
 
MELODI ME TINGUJ T’FIKUR
 
O melodi e qëndisur me tinguj t’fikur
Vjeshta sapo mbaroi e më s’u pamë,
Një lule n’mes vargjeve seç ka zbritur
Po pret t’pathënat që kurrë s’i thamë…
VRAGË
 
Të shumtë janë ata që sjellin veç plagë
E pak janë ata që lënë ndonjë vragë,
Pa rend vijnë idiotë që të lëndojnë
E larg rrinë të mirët që të gëzojnë…
S’KEMI FATIN
 
Ne dy s’kemi fatin bashkë të mplakemi
Me mua ti s’do mundesh të besatohesh
Po përqafove tjerët ne shpejt do kapemi
Kjo ka t’më mbytë e ti do të lëndohesh…
ÇELËSI
 
Tash ëndrrës një çelës i kam vendosur
Ti as që mundesh përsëri aty të futesh
Për mua do ngelesh gjithmonë e përsosur
Nga zemra edhe po të më shkëputesh…
PEZËM
 
Botës gjer n’përjetësi lumturi do kërkosh
Rruga e fatit do të të sjellë shumë përqafime
Sipër qafës dikujt krahët kur t’ia vëndosh
O ka ta helmojë pezmi zemrën time…
N’SHTRAT SHTRUAR
 
Kështu të dy do jemi t’lumtur e t’gëzuar
Mjafton që iki unë e vuajtja jote shërohet
Kur unë n’shtrat t’vdekjes t’jem i shtruar
Ty aq shumë zemra le të t’gëzohet…
DIHATJE
 
Buzën pika t’verës po ta prekin
N’ato çaste hareje dhe kënaqësie
Timen ngrica akujsh seç e stepin
Nga dihatje t’lodhshme dashurie…
SHPRUSHJE
 
Rrallë sytë e tu do mbushen
Me lot t’bardhë e t’kulluar gëzimi
Po të mitë shpesh po shprushen
Me katran nga gjakderdhje pikëllimi…
DORA IME
 
Njerëz të mëdhenj do përqafosh
Mbase dhe dikë do ta rrëmbesh
Por duart kur do t’ua shtrëngosh
Ndjenjën e times kurrë s’do gjesh…
SI KAHERA
 
N’ballkon po qave sonte si kahera
Yjet po i pyete nëse jam gjallë e lotoj,
Do t’thonë se gjithmonë e gjithhera
Aty n’zemër t’kam e dot s’të lëshoj…
HERA E FUNDIT
 
Mbaj mend verën e fundit kur u pamë
Pimë lëng boronice e s’u përqafuam
Të dy zemrën tjetrit nga pak ia vramë
Ike rrugicës kokulur, mua lotët m’pushtuan…
QAFAS
 
Mes fëmijëve në park po shëtitemi
T’pashë dhe ty me të tutë të gëzuar
Por ne dy a thua vallë do ngjitemi
T’kapur qafas, duart shtrënguar…?!
PËRFLAKUR
 
Heshtjes n’këtë kraharor të përflakshëm
Nga sytë e tu i vjen një kuptim dhe një liri,
Por, shpirti yt i ftohtë, i largët, i pakapshëm
S’ka aspak dhimbje për këtë tonën dashuri…
Më shumë poezi gjeni në profilet e mia në rrjetet sociale ose duke porositur librat e mi!
 
Me respekt,
Besim Xhelili