Promovohen në Tiranë 4 vepra të shkrimtarit Besim Xhelili

Promovohen në Tiranë 4 vepra të shkrimtarit Besim Xhelili

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në austri “Aleksandër Moisiu” në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore-Sociale “Heles”, Tiranë, organizuan përurimin e krijimtarisë së shkrimtarit dhe poetit tetovar me banim në Vjenë të Austrisë Besim Xhelili. U përuruan katër veprat e tij më të fundit, vëllimi 5 me poezi “Besa”, vëllimi 6 “Dallgë në zemër”, vëllimi 7 “Sy të pafajshëm…” dhe romani i tij të parë “1803”, që dolën nga botimi këtë vit.

Programin e drejtoi me shumë profesionalizëm znj. Helena Halilaj, drejtore e Shoqatës Kulturore-Sociale “Heles”, kurse hapjen e bëri znj. Entela Kasi, kryetare e PEN Qendrës Shqipëri. Sallën e Bibliotekës së Muzeut Kombëtar e kishin mbushur një numër i madh i artdashësve dhe dashamirëve të letrave, në veçanti të krijimtarisë shqiptare që krijohet jashtë atdheut. Kjo ngase me rastin e organizimit nga Qeveria Shqiptare të Samitit I të Diasporës Shqiptare, në Tiranë gjendeshin një numër i madh i krijuesve nga diaspora, të gjithë anëtarë të shoqatave, klubeve apo lidhjeve të shkrimtarëve shqiptarë të shteteve të ndryshme.

Për romanin “1803” një vështrim bëri poeti Hasan Qyqalla, kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i cili mes tjerash tha: “Shtrohet pyetja, çfarë janë dimensionet në paralelet e fushëveprimit të romanit  “1803”? Gjithsesi, kujtoj, gjatë zhytjes në ngjarjet rrëfyese, lexuesi psikologjikisht do të kalojë si nëpër “rrathë purgatori”! Aty gjejmë shfaqje romantike, dashuri, lot, krim, intriga, tradhti, humanitet… etj.; që do të thotë është një pentagram me ngjyrime dramaticiteti që mëtojnë nëpër valët e jetës. Ndalemi për një çast tek skenat e dashurisë, me shfaqjen e dy personazheve kryesore këtu: Besarit dhe Samirës. Që nga njohja e tyre e parë nga një rastësi, mbase nuk thuhet së koti se “rasti është mbret i botës”, lidhja e tyre identifikohet si një simfoni e pambarim, përkundër gatishmërisë për sakrificë nga ana e Besarit (mbase të dy personazhet në fjalë, tani më kishin familjet e tyre, sikur edhe fëmijë), por piktorja symagjike e ka të pamundur, përkatësisht nuk është parapërgatitur për një rikurorëzim, deri sa është e gatshme të ruajë një lidhje të përhershme jashtëmartesore. Këtë ia dëftonin tingujt e zemrës tani”.

Për vëllimin poetik “Besa” foli shkrimtari dhe gazetari Demir Reshiti. “Të ecish në shtigjet e poezisë së Besimit është një aventurë interesante dhe e bukur në të cilën nuk të presin stuhi dhe përmbytje, por ëndrra jete të thurura me përkushtim me të cilat ai komunikon me lexuesit, duke ia zbuluar emocionet e tij, përvojën jetësore dhe urtësitë e jetës. Mesazhi emocional i poezisë së tij është i hapur për jetën dhe gjithçka që sjell ajo.Tematika dominuese e poezisë së tij është dashuria; dashuria ndaj njeriut, dashuria ndaj peizazhit, dashuria ndaj jetës dhe të gjitha dukurive të saj.”, u shpreh Reshiti.

Jaho Margjeka, krijues dhe gazetar në Radio Tirana foli për vëllimin poetik “Dallgë në zemër”: “Muza e Xhelilit herë është Evë e herë Beatrice, herë Helenë Troje e herë Zanë mali e Lugjeve të Verdha, herë e ëmbël e herë pelin, herë gjarpërushë e herë lozonjare. Ajo (Muza) është gëzimi e njëkohësisht dhimbja e zemrës së poetit, të cilën ai (poeti) ia ka blatuar plotësisht asaj, pa asnjë “kusht”, ashtu siç është e pakushtëzuar dashuria: “E shoh se sonte prapë më qahet, Zemër e kalbur në gjoks a mbahet?”, u shpreh Margjeka në fjalën e tij duke cituar vargun e poetit.

Në fund disa fjalë për vëllimin 7 me poezi të Xhelilit “Sy të pafajshëm…” i tha Entela Kasi, duke theksuar se ajo tashmë një kohë të gjatë njihet me autorin dhe e përcjell krijimtarinë e tij si dhe të krijuesve të tjerë në Austri. Ajo theksoi se është i një rëndësie të veçantë bashkëpunimi i krijuesve shqiptarë më shoqatat dhe klubet vendase austriake në fushën e kulturës dhe letërsisë. Ajo shtoi se ndjehet mirë kur sheh se si shqiptarët në mërgatë tregojnë një shembull të mirë të integrimit në shoqëritë ku ata jetojnë dhe dha edhe një herë mbështetjen e saj.

Gjatë programit disa poezi nga librat që promovoheshin i lexuan Ornela Ndoj, aktore dhe Agim Xheka, aktor, kurse në fund u shtrua një koktej rasti dhe pjesëmarrësit morën libra falas nga autori, i cili pasi tregoi pak për jetën e tij dhe aktivitetet e krijuesve shqiptarë në Austri, tha se ndjehet tepër i gëzuar që së pari herë në Tiranë përurohet krijimtaria e tij dhe se me kënaqësi do të përurojë edhe në të ardhmen në Tiranë.

Videon nga ky promovim e gjeni në:

Shkrimi në disa gazeta dhe portale

Shpërndaje në:
Posted on: 15. Januar 2019Besim Xhelili

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert.

*

code