VËSHTRIME MBI ROMANIN 1803

VËSHTRIME MBI ROMANIN “1803”
 
Botues: Botimet Fishta Prishtinë, Kosovë
Reçensentë: Prend Buzhala, Engjëll I. Berisha
Redaktore: Violeta Allmuça
 
ISBN: 978-9951-576-20-8
Prishtinë, mars 2016

Prend BUZHALA Recensent,
Prishtinë, Kosovë

Prend BUZHALA 
KODI ROMANOR I MISTERIT TË DASHURISË
 
Një temë dashurie, që përcillet e trazohet nga hija e ankthi i një krimi kërcënues. Një dramë e ndjesive të erosit që përfundon me hepiendin e dhurimin e gëzimit të lumturisë. Ky është sfondi i përgjithshëm i romanit, strukturat narrative të të cilit sillen në ambiente të ndryshme (në mërgim, nëpër Evropë, dhe përfundojnë në SHBA, në Nju Jork), nëpër ambientet etnike shqiptare e familjare, duke u përqendruar te punktet rrëfimore-tematike: dashuria, puna, familja, mërgimi, etnia, kultura, arti, poezia, jeta urbane…
 

Të dy protagonistët e dashuruar (njihen e takohen rastësisht në një orë letrare), kanë familjet e tyre, kanë fëmijët dhe jetën e tyre bashkëshortore… dhe autori e ruan sensin e masës në këtë ndërthurje kaq të ndërliqshme e të ndjeshme raportesh e marrëdhëniesh: në dashuri nuk bën të ndjehet i lënduar askush, sipas atij parimit aristotelian, “E bukur është ajo që është harmonike”!

Protagonistët e jetojnë dhe e përjetojnë jetën e tyre emocionale përafruese, si dhe dëshirat e tyre; për ta nuk ka kohë, as natë, as ditë, as të djeshme e as të ardhme, ka vetëm çaste të mbushura me bukurinë e emocionit (bisedat me telefon, emailet, letrat, poezitë, thëniet dashurore, video-bisedat, deri te takimet e rralla… largësia zhduket); ata e pranojnë këtë ndjesi që i jep kuptim jetës së tyre. E pranojnë në çdo kohë e në çdo minutë, në rrugëtim, në shtëpi, në ambiente pune a familjare…

Marinela DURI
Athinë, Greqi

Marinela DURI
 
Fjalori i pasur, stili narrativ, përshkrimet romantiko-erotike të ngarkuara emocionalisht me figura letrare si: epifora, metafora, alegoria, krahasimi, epiteti, aforizmat, simbolizimi i shenjave të pikësimit (tre pikat, thonjëzat etj.) drama, suspens-i, anatropia – thyerja kronologjike e ngjarjeve, që ndryshe fillojnë, ndryshe rrjedhin e ndryshe përfundojnë, romanca, informacioni dhe sigurisht një fund i lumtur-HAPPY-END, këto kërkon lexuesi bashkëkohor.
 
Më konkretisht: drama shfaqet në roman që në fazën e parë kur protagonistët fillojnë e ndjejnë për njëri-tjetrin; që të dy kanë familje. Vetëkuptueshëm që vështirësitë e pengesat për përjetimin fshehtas të një ndjenje të tillë do t’i shoqërojnë gjithnjë e kudo, deri në fund kur protagonisti ka të sigurt vdekjen dhe në atë shtrat i duhet t’i rrëfehet së shoqes dhe protagonistja, së shoqit.
 

Thanas BOÇi
Athinë, Greqi

Thanas BOÇI
 
Autori Besim Xhelili për t’na bërë të njohur gjithçka, ka marrë si njësi të dimensionit estetik rrëfimin e tij, të kombinuar me dialogjet, andaj bën edhe personalizimin e narracionit të ngjarjeve, duke ia atribuuar kështu ato të personazhit kryesor, që është vetë autori dhe partneres së tij Samira, kështu që e bën të tillë, duke qenë vetë i kudondodhur, gjithçka bëhet më e besueshme, më bindëse, më e afërt, më emocionale.
 
Sigurisht midis realiteteve që paraqiten dhe qëndrimit filozofik të autorit, kur çdo gjë, çdo ditë, sjellje të personazheve e aktorëve, i nënshtrohen një filtri filozofik, se s’mund të ketë letërsi të bukur pa filozofinë brenda saj, veçse kështu mesazhet përcillen të qartë, ngacmues e që ndikojnë në botën e brendshme të lexuesve, sepse ky është edhe misioni qytetar dhe estetik i artit dhe i letërsisë. Shumë ngjarje, shumë aspekte që paraqiten në roman janë si rezultat i përsiatjeve dhe kujtimeve të autorit.
 

Anton MARKU
Vjenë, Austri

Anton MARKU

Në aspektin tematik romani kryesisht trajton dashurinë dhe sfidat që ajo di dhe mundet të sjell. Që në fillim të librit autori dashurinë e quan ‘‘forcë hyjnore që dhuron gëzim dhe lumturi’’. Më pas në narracion përshkruhen edhe raportet mes individit, familjes dhe shoqërisë. Një vend të posaçëm zë edhe përditshmëria në vendin e punës, jeta në mërgim, etnia, kultura, arti, poezia, jeta urbane, etj.

Ky roman të tërheq me mënyrën e të shkruarit, me subjektin, personazhet dhe emocionet që ai ofron. Pra, nëse pajtohemi se letërsia duhet të jetë e bukur dhe të ngjallë ndjenja gjatë leximit, kjo arrihet pothuajse plotësisht në këtë roman. Duket se autori i këtij libri, më shumë se sa kërkues i inspirimit, është pritës i durueshëm i tij. Por, sapo që frymëzimi ta pushtojë, ai zhytet i tëri në shkrim dhe përkthen ndjenjat në fjalë, fjalët në rreshta e rreshtat në kapituj letrarë duke ruajtur gjithmonë një nivel të lartë artistik në rrëfim.
 

Hasan QYQALLA
Koblenz, Gjermani

Hasan QYQALLA
KOMPOZICIONI I RRËFIMIT PËRMES NGJYRIMEVE DRAMATIKE
 
Rrëfimet ngrihen zakonisht mbi një subjekt të përbashkët, që herë-herë subjekti përfshin brendapërbrenda ngjarje, episode, mjedise, personazhe, qoftë nga përjetimet e drejtpërdrejta të vet autorit, qoftë përmes gërshetimit të ngjarjeve mes reales dhe sureales, gjegjësisht ndërtimit mbi fantazinë e autorit. Shtrohet pyetja, çfarë janë dimensionet në paralelet e fushëveprimit të romanit “1803”? Gjithsesi, kujtoj, gjatë zhytjes në ngjarjet rrëfyese, lexuesi psikologjikisht do të kalojë si nëpër “rrathë purgatori!” Aty gjejmë shfaqje romantike, dashuri, lot, krim, intriga, tradhti, humanitet,…etj.; që do të thotë është një pentagram me ngjyrime dramaticiteti që mëtojnë nëpër valët e jetës.
 
Shpërndaje në:
Posted on: 20. Januar 2019Besim Xhelili

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert.

*

code