VËSHTRIME MBI VËLLIMIN POETIK “VRAGË MALLI”

VËSHTRIME MBI VËLLIMIN POETIK “VRAGË MALLI”
 
Botues: LENA, Prishtinë, Kosovë
Recensent: Prend Buzhala
Redaktor: Ejup Ajdini
Kritike letrare: Migena Arllati
 
ISBN: 978-9951-769-73-0
Prishtinë, janar 2019

Prend BUZHALA, recensent
Prishtinë, Kosovë

Prend BUZHALA
KATRENAT E LEKTISJES DHE ELEGJITË E MALLIT
 
Kur e lexojmë edhe këtë libër me po të njëjtat preokupime tematike të dashurisë, si në tre librat e përparshëm, atëherë të duket sikur e lexojmë mitin antik të dashurisë së Psikës me Amorin, tashmë në variacione moderne, bashkëkohëse.
 
Poezia e tillë frymon me gjakimet për një jetë të qetë, pothuajse idilike, me neverinë e armiqësinë e theksuar ndaj së keqes, hipokrizisë, së ligës dhe sidomos ndaj vuajtjeve. Vetë titulli i librit ngërthen dy semantema lirike: vragën dhe mallin, mbresën dhe shenjën e plagës së vuajtjes.
 
Dashuria është çelësi i ndjesive kryesore lirike, edhe kur ajo mbetet vetëm kujtim, apo vetëm një shkëlqim melankolik. Nëse Dante ka Beatriçen e tij shpëtimtare, ai, si pandan të ferrit krijon parajsën; nëse Petrarka te “Kanconat” e tij (“Librin e këngëve”), këndohet dashuria platonike ndaj Laurës (edhe si një histori dashurie e elegjie e humbjes së të dashurës); tek ky vëllim (dhe tek tre të tjerët, po të merren së bashku), poeti nuk i vë emër personazhit të saj lirik; qenia-femër shënohet vetëm si një Ti/Ajo, që ngërthen kodeksin jetësor e dashuror të folësit lirik.
 

Ejup AJDINI, redaktor
Tetovë, Iliridë

Ejup AJDINI
DIHATJE DASHURIE MIDIS LOTËVE TË BARDHA
 
Vëllimi më i ri poetik “Vragë malli” i poetit Besim Xhelili, tani më mjaft mirë i njohur për opinion tonë, vjen si një tërmet estetik në letrat shqipe, i cili sjell gjakime poetike, krejt të një forme të veçantë krijuese, përmes së cilës plotëson zbrazëtirën shpirtërore të jetës dhe të kohës kur jeton dhe vepron autori. Besim Xhelili pa dashurinë dhe bukurinë e dashurisë, do e kishte quajtur të kotë jetën, apo thënë ndryshe, kuptim i varfër i bukurisë jetësore. Edhe pse për poetin edhe dashuria është e lodhshme, por një lodhje e lezetshme, e cila dëshmohet në këtë përmbledhje poetike ( e nënta me radhë).
 
Bukuria duhet të mbajë edhe thellësinë e dashurisë, pasi pa dashuri, vetëm bukuria do ishte si ngricë, pa vlim të gjakut, e bardhë, e bukur, por e ftohtë dhe kështu duket lirika e diskursit poetik të këtij autori. Kjo dridhje lirike fsheh nga brenda subjektin e lënduar të poetit. Kjo nuk na lodh për ta kuptuar këtë diskurs krijues, pasi autori është i hapur dhe me një çiltërsi të skajshme për “marrëzinë” e tij të dashurisë. Kjo është thelbësorja e vargjeve poetike të Besimit, përmes të cilave këndshëm dhe pa vështirësi vazhdon t`i josh poetët, pse jo edhe lexuesit e shtresave të tjera.
 

Migena ARLLATI,
kritike letrare
Gjakovë, Kosovë

Migena ARLLATI
PЁRKUSHTIM I PЁRJETSHЁM PЁR NJЁ DASHURI TЁ PAVDEKSHME
 
“…se malli thyen edhe gurin e lёre mё burrin!”, thotё njё fjalё e urtё popullore shqiptare. E ҫ’mund tё themi nё kёtё kontekst pёr autorin Besim Xhelili dhe vёllimin e tij tё ri “Vragё malli”, njё libёr i mbushur me lirika tё ndjeshme pёr njё dashuri dikur tё fuqishme por tashmё tё larguar?!

Nё pёrgjithёsi nё letёrsi, ҫdo vepёr letrare ka veҫantinё e saj, ndёrsa vepra e poetit Xhelili do tё thosha ka poetikё sepse ndёrtohet mbi ndjesi tё cilat janё rezultat i njё kohe tё lumtur, por pёr fat tё keq tashmё tё pёrfunduar, gjithsesi assesi tё harruar. Autori paraqitet i veҫantё duke na rrёfyer pa komplekse, pa drojё dhe marre pёr emocione dhe ndjesi intime, tё cilat ai dikur i ka pёrjetuar ndryshe, ndёrsa sot tё gjitha ato janё veshur me petkun e largesёs, vetmisё dhe dalëngadalё harresёs. Dashuria e refuzuar nxit njё tangente pambarimisht tё gjatё. Kjo tangente ёshtё ndjenja e mallit dhe kёsaj ndjenje do t’i referohet autori vazhdimisht gjatё tёrё vёllimit. Libri pёrmban dy cikle. Cikli i parё me lirika katёrvargёshe titullohet “Dihatje dashurie” ndёrsa cikli i dytё titullohet “Busull e prishur” dhe ka poezi shumёstrofёshe, me njё varg dhe metrikё tё pёrzier.
 
Shpërndaje në:
Posted on: 24. Januar 2019Besim Xhelili

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert.

*

code